Pas 7 orësh në kërkim, është bërë i mundur arrestimi i Dan Hutrës, autorit që ka ekzekutuar ditën e sotme 3 gra dhe ka plagosur 3 të tjera. Ai është arrestuar në zonën e landfillit, e ndërsa me vete i është gjetur edhe arma e krimit, kallashnikovi me të cilin u mori jetën 3 personave të pafajshëm.
Për arrestimin e tij ka pasur edhe një reagim nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili thotë se kjo ngjarje mund të ishte shmangur nëse rast se do të ishte në burg nga drejtësia.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për arrestimin e një krimineli të regjur, që sot mori jetë të pafajshme në Kamëz. Një ngjarje e rëndë, që mund të ishte shmangur nëse autori do të ishte në burg nga sistemi i drejtësisë në të shkuarën për skedën e tij kriminale. Edhe njëherë Policia e Shtetit dëshmoi profesionalizëm dhe bëri detyrën duke çuar prapa hekurave autorin, që nuk duhet më kurrsesi t’i shpëtojë ndëshkimit më të ashpër të drejtësisë. Ngushëllime familjeve të viktimave”, tha Çuçi.
Dan Hutra ka qenë një emër i njohur për policinë shqiptare. Ai ka qenë i arrestuar 5 herë.
Më konkretish, në 20.05.2003 është arrestuar për “ Marrëdhënie seksuale me dhune”. Në 10.12.2007 është ndaluar për veprën penale “Vrasje”, e dëmtuar Dafina Havalja. Në datë 07.12.2021 është arrestuar për vjedhje banesash me DVP Durrës. Në datë 01.02.2022 është arrestuar nga DVP Durrës për tentative vjedhje banese e ndërsa në datën 16.06.2022 është arrestuar nga Komisariati i Policisë nr.5 për dhunë në familje, e dëmtuar Elena Hysa.