Partia Demokratike rrezikon që të mos regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit! Ka qenë kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili ka sqaruar se një gjë e tillë mund të ndodhë nëse nuk arrijnë që të gjejnë një zgjidhje për problemin e tyre, ku 2 palë, ajo e Enkelejd Alibeajt dhe e Sali Berishës, pretendojnë se e kanë ato kreun.
“Për ne ka një PD, është një person juridik. Ngelet për tu parë se kush e ka tagrin për të vepruar në emër të PD. Do ishte mirë që kjo çështje të ishte zgjidhur. Flitet për një parti kryesore të opozitës dhe unë mendoj se sa s’është vonë gjithkush që në një mënyrë apo një tjetër që mund të kontribuojë në zgjidhjen e kësaj situate. Do të duhet të angazhoheni për të gjetur një zgjidhje, s’mund të bëjmë sikur s’po ndodh asgjë, pasi partia kryesore e opozitës mund të mos regjistrohet. Gjithsesi, do të duhet që secili prej faktorëve institucionalë dhe politik të angazhohet për këtë proces, nuk mund ta injorojmë, të shohim çfarë vendos KQZ dhe të veprojmë.”- tha ai.
I njëjti problem shfaqet edhe në regjistrimin e anëtarëve të KZAZ, ku të dyja palët kanë bërë kërkesë në KQZ.
“Nëse do ta bënim formale dhe unë do isha formal, përgjigja do ishte do e merrni vesh kur të vendoset. Po s’dua të bëj hipokritin dhe të them që se njohim realitetin. Qoftë edhe si individ edhe unë, këtu jetoj i ndjek lajmet kam gjykim dhe opinionet e mia. Edhe pse, kjo s’do të thotë që kur të vij puna e vendimmarrjes kjo do jetë pjesë e gjykimit tim. Kemi dy propozime për anëtar të KZAZ-ve nga zoti Indrit Sefa (PD), kemi dhe një propozim zoti Flamur Noka në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të PD. Në fakt jemi në proces të verifikimit të dokumentacionit mbi propozimet për anëtar të KZAZ jo vetëm të PD por edhe të partive të tjerave.
Më vjen keq që gjendem në këtë situatë. S’kemi asnjë lloj interesi dhe as një lloj simpatie për partitë, përtej komenteve. (…) S’kemi asnjë lloj ndrojtjeje për të zbatuar ligjin. Se vendosim se kush e udhëheq PD, ne do disponojmë se kush do e përfaqësojë, për ne është vetëm një PD, ngelet për t’u parë se kush e ka tagrin. Do duhet që kjo gjë duhet zgjidhur, sepse flitet për një parti kryesore të opozitës.”- tha Celibashi.
Partia Demokratike vijon të jetë e ndarë dhe bashkimi duket i largët. Kjo edhe për faktin se të dyja grupimet kanë publikuar kandidatët në disa Bashki, duke mos njohur kandidatin e palës tjetër.