Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë që përmban një amendament për lirimin e Fredi Belerit, i cili është në burg për shitblerje të votës në zgjedhjet e 14 majit të këtij viti.
Amendamenti për “lirimin e menjëhershëm të kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri” dhe për “mbrojtjen e pronave të pakicës kombëtare greke”, është paraqitur nga Partia Popullore Europiane dhe Eurogrupi i së Majtës në Raportin mbi Procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Në votimin e sotëm, 290 eurodeputetë votuan pro projektligjit, ndërsa 260 kundër tij.
“Parlamenti Evropian shpreh shqetësimin e tij për arrestimin e kryetarit të ri të bashkisë së Himarës Fredi Beleri, në prag të zgjedhjeve komunale të majit dhe pengoi kryetarin e zgjedhur për të marrë detyrën e tij, pasi ai mbetet i burgosur edhe sot e kësaj dite. Nënvizohet se kjo çështje lidhet me respektimin e përgjithshëm të të drejtave themelore, çështjen e pazgjidhur të pronave të pjesëtarëve të pakicës etnike greke në zonën e bashkisë dhe akuzat për cenim nga shteti në arsyetimin e vendimit për miratimin e ndryshimeve”, – thuhet në amendament.
Sipas mediave greke, ky amendament u mbështet nga eurodeputetët grekë të të gjitha partive.