Në ditën e trembëdhjetë të grevës, kriza e plehrave përkeqësohet në Paris.
“Këta nuk janë më grumbuj koshash plehrash, por mure”, është shqetësuar këtë të premte një banore e lagjes 8 përballë qeseve të gërvishtura dhe me erë të keqe.
Pragu simbolik prej 10 mijë tonësh mbetje të shpërndara nëpër trotuare është kaluar pasditen e sotme, sipas bashkisë së Parisit.
Përtej shqetësimit, rreziqet e pasigurisë mund të çojnë në situata të rrezikshme në kryeqytet.
“Përqendrimi i mbeturinave, veçanërisht ushqimit, rrezikon popullatën, paraqet problem të higjienës publike dhe nxit përhapjen e minjve, vektorëve të sëmundjes”, nënvizoi selia e policisë së Parisit, përpara se të shtonte se “ky grumbull rrit rrezikun e zjarrit”.
Gjatë demonstratave spontane kundër reformës së pensioneve që po shumohen në Francë, disa aktivistë nuk hezitojnë t’u vënë flakën pirgjeve të koshave të plehrave në rrugën e tyre.
Kjo krizë e plehrave duket se është rezultat i një numri të vogël grumbulluesish të grevës.
Sindikatat nuk kanë dhënë një shifër, por kryebashkiakët e Horizons të qarkut 9 dhe 5 të Parisit, Delphine Bürkli dhe Florence Berthout, vlerësojnë se janë vetëm 5% e grumbulluesve të plehrave në grevë.
“Këta 5% kanë fuqinë të bllokojnë pothuajse të gjithë grumbullimin, duke kryer dy lloje veprimesh: bllokimin e garazheve nën menaxhimin e bashkive dhe qendrat e djegies”, deklaroi Florence Berthout.
Tri vendet ku digjen mbetjet e parizienëve janë mbyllur: dy për shkak të grevës dhe një për punë.
Policia u përpoq të premten të heqë bllokimin në qendrën e djegies së Ivry-sur-Seine, por iu desh të tërhiqej përballë kundërshtimit të fortë nga grevistët.