Në Budapest, Papa Françesku udhëhoqi një meshë të madhe në natyrë, gjatë së cilës u bëri thirrje hungarezëve të mos mbyllin dyert e tyre për emigrantët dhe ata që janë “të huaj ose të ndryshëm nga ne”.
Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën brenda dhe rreth sheshit, prapa ndërtesës së parlamentit në Budapest, një simbol i kryeqytetit hungarez, për të parë Papën gjatë ditës së fundit të vizitës së tij në vend, raporton Reuters.
Papa vazhdoi temën që nisi në ditën e parë të vizitës, të premten, kur paralajmëroi rrezikun e zgjimit të nacionalizmit në Evropë, por gjithçka e vendosi në një kontekst ungjillor, duke thënë se dyert e mbyllura janë të dhimbshme dhe në kundërshtim me mësimin e Jezusit.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili mori pjesë në meshë, tha më herët se nuk do të lejojë që Hungaria të shndërrohet në një “vend emigrant”, si të tjerët në Evropë, për të cilat ai pretendon se janë bërë të panjohshme për njerëzit e tyre.
Në predikimin e tij, Papa Françesku tha se nëse hungarezët duan të ndjekin Jezusin, duhet të shmangin dyert e mbyllura, izolimin dhe indiferencën në rritje ndaj atyre që nuk janë të privilegjuar dhe që vuajnë, atyre që janë të huaj, emigrantë apo të varfër.
Në predikimin e sotëm, Papa Françesku përdori një kontekst fetar për të dytën herë për të shprehur mendimin e tij, sipas Reuters, dhe kujton se të premten ai citoi atë që Shën Stefani, themeluesi i shekullit të 11-të i Hungarisë së krishterë, shkroi për mirëseardhjen e të huajve.
Vizita tre-ditore në Hungari është udhëtimi i parë i Papa Françeskut që nga marsi, kur ai u shtrua në spital për bronkit.