Panairi i Librit 2022 u çel sot edicionin e 25-të në mjediset e Pallatit të Kongreseve. Në këtë panair do të jenë gjithsej 97 stenda dhe më shumë se 100 shtëpi botuese. Panairi do të jetë i hapur nga data 16 nëntor deri më 20 nëntor.
Një hapësirë e veçantë u është rezervuar edhe trevave shqipfolëse. Kosova vjen e përfaqësuar me tre stenda kryesore: me stendën e Institutit Albanologjik të Kosovës, me Shoqatën e Botuesve të Kosovës, si stendë më vete, dhe me “Dukagjinin”. Secila ka marrëveshje me shtëpi të ndryshme botuese në Kosovë.
Maqedonia e Veriut ka një stendë më vete. “Logos” është shtëpi botuese e Shkupit, por sjell edhe botimet shqipe nga Tetova. Mali i Zi përfaqësohet me një stendë tjetër që është ajo e Podgoricës, por vijnë edhe pak tituj të botuar në Tuz. Tuzi pritet të jetë i pranishëm me autobusë lexuesish që vijnë në mënyrë të organizuar dhe do të kenë edhe takime për librin shqip.
Në panair do të ketë edhe një shtëpi botuese italiane. Ajo është “Besa Muci”, e cila kryesisht ka në fokus botimin e letërsisë shqipe në italisht.
Të tjerë botues të huaj që do të jenë pjesë e edicionit të 25-të të Panairit të Librit, do të jenë Regione Puglia dhe Junus Emre, me botimet e tyre.