Askush nuk e kishte imagjinuar se do të vinte dita që një ndër parqet më të frekuentuara nga turistët dhe nga vendasit do të bëhej me pagesë.
Dhjetëra qytetarë janë revoltuar nga situata në Divjakë për vendosjen e një trau, për ta bërë me pagesë futjen në park. Banorët e zonës e konsiderojnë këtë si një një projekt totalisht të paligjshëm. Sipas tyre pengohet e drejta e të gjithëve për të aksesuar bregdetin.
Banorët madje kanë edhe biznese në brendësi të parku dhe vendosja e tarifës për vizitorët që hyjnë në Divjakë-Karavasta duhet të paguajnë edhe për shërbime të tjera. Kësisoj, kjo pagesë u dëmton edhe atyre aktivitetin.
Të indinjuar për nisjen e punimeve për vendosjen e traut elektronik i kërkojnë Ministrisë të Mjedisit dhe Turizmit që të anulojë vendimin. Tarifa për vizitorët është caktuar të jetë 50 lekë dhe 150 për automjetet.
Këto thirrje kanë rënë në vesh të shurdhët nga qeveria, madje sipas një vendimi të fundit të Ministrisë së Mjedisit që do të publikohet në ditët në vijim, hyrjet në park do të menaxhohet nga një kompani private.
Ministria e Mjedisit për realizimin e këtij projekti ka organizuar edhe një tender ku është caktuar kompania fituese. Kjo e fundit nuk humbi kohë dhe vendosi një tra në hyrje të parkut çka ka zgjuar revoltën dhe pakënaqësinë e të pranishmëve.
Dyshohet se vendosja e traut ne plazh është vetëm fillimi, pasi mendohet që i gjithë parku Divjakë-Karavasta do të jepet me koncesion dhe do të privatizohet nëse vendoset trau.
Nese kjo hipotezë rezulton e vërtetë, jo vetëm që në park të gjithë do të futen me pagesë, por edhe me mjet identifikimi.
Ja çfarë thotë Kodi Rrugor lidhur me këtë problematikë
Neni 20
Zënia e sipërfaqes rrugore
1. Në rrugët e tipit A, B, C dhe D, sipas nenit 2, ndalohet çdo lloj zënie e sipërfaqes rrugore, nga panaire dhe tregje me automjete, baraka, tenda etj. Në rrugët e tipit E dhe F zënia e sipërfaqes rrugore mund të autorizohet, me kusht që të përcaktohet një itinerar tjetër për trafikun.
2. Nuk lejohet vendosja e kioskave, qoshkave të gazetave ose e instalimeve të tjera, edhe me karakter të përkohshëm, jashtë qendrave të banuara në brezat e rezervuar.
3. Në qendrat e banuara, pa përjashtuar kufizimet dhe ndalimet e përcaktuara në nenet dhe pikat e mëparshme, zënia e trotuareve me kioska, qoshka gazetash dhe instalime të tjera mund të lejohet deri në mesin e gjerësisë së tyre, me kusht që në vazhdim të këtyre instalimeve të mbetet e lirë një zonë për qarkullimin e këmbësorëve me gjerësi jo më të vogël se 2 m. Zënia nuk mund të bëhet në brëndësi të trekëndëshave të fushëpamjes së kryqëzimeve, të treguara në nenin 18, pika 2.
4. Cilido që zë sipërfaqen rrugore pa lejen përkatëse, ose që, duke pasur leje, nuk zbaton kushtet e saj, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë.
Protestat e fundit kanë dëshmuar që banorët e Bashkisë Divjakë dhe Lushnjë nuk do të dorëzohen lehtë, duke mbajtur një qëndrim qytetar për t’u admiruar. Divjaka nuk meriton të pushtohet nga shteti, prandaj këta njerëz i kanë dalë për zot parkut, siç e kanë mbrojtur ndër vite, të paprekur dhe të pastër.