Mbi 100 prokurorë i mungojnë organit të akuzë në të gjithë vendin, përfshirë edhe drejtuesit e Prokurorive. Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla teksa bëri bilancin e institucionit që drejton për vitin që lamë pas, theksoi se plotësimi i vakancave në prokurori mbetet prioritet i vitit 2023 dhe viteve në vijim.
“Sot prokuroria nuk është në ditën e saj më të mirë, aktualisht në detyrë janë rreth 214 prokurorë me një numër vakancash rreth 107 prokurorë që i mungojnë sistemit”, tha ai.
Shpresat për mbushjen e boshllëqeve të krijuara në prokuroritë e rretheve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka te Shkolla e Magjistraturës.
“Këshilli ka menduar që këto vakanca t’i mbushë përmes emërimeve të reja që dalin nga shkolla e magjistraturës. Në total bëhen 75 prokurorë që do mbushin radhët e vakancave për tre vitet e ardhshme”, shtoi Balla.
Teksa tha se sistemi i Vettingut ende s’ka përfunduar, deri më tani rezultojnë 4 magjistratë prokurorë të pezulluar nga KLP pas procedimeve disiplinore të nisura ndaj tyre.
‘Kemi shkarkuar 4 prokurorë bazuar në dokumentet e ardhura nga ILD. Kanë funksionuar edhe komisionet e posaçme pranë KLP, është një komision kundër vendimmarrjes së ILD. Për disa prokurorë është kërkuar mbrojtje dhe komisioni është mbledhur në mënyrë urgjente, përfundoi Balla.
Këshilli I Lartë i Prokurorisë përgjatë 2022 është mbledhur në 35 seanca plenare me 333 vendime të marra nga ky institucion.