Duket se vala e protestave të opozitës që kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pati paralajmëruar ka nisur dhe nuk dihet se kur do të ndalet. Ditën e sotme, opozita ka njoftuar se do të mbajë një tjetër tubim përpara Kuvendit të Shqipërisë.
Njëjtë si herën e kaluar, protesta do të mbahet përpara Kuvendit ndërkohë që në godinë do të ketë seancë plenare.
Mësohet se në orën 09:30 do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike për të diskutuar në lidhje me protestën. Menjëherë pas kësaj mbledhje, protestuesit do të ndjekin itinerarin e nisjes nga selia blu drejt Parlamentit të Shqipërisë. Nuk dihet nëse protesta do të jetë e tensionuar si herën e kaluar ku u hodhën flakadanë në drejtim të policisë dhe u plagosën 2 efektivë. Për këtë ngjarje policia arrestoi 2 persona dhe shpalli në kërkim një tjetër.
Kujtojmë se Komisioni i Etikës ka përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit kryetarin e PD, Sali Berisha dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Flamur Noka, ndërsa deputetët Belind Këlliçi dhe Edi Paloka janë përjashtuar me 5 ditë.