Opozita shqiptare, kësaj radhe e bashkuar do të organizojë ditën e sotme një protestë përpara Kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë Edi Rama lidhur me hetimet për ish-zyrtarin e FBI-së, McGonigal.
Protesta e thirrur nga Partia Demokratike do të shohë të angazhuar në terren 1 mijë e 100 forca policore, mes të cilëve edhe ata të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë apo Gardës së Republikës.
Një kordon me efektivë, pritet të formohet para Kryeministrisë, si në çdo demonstratë tjetër, duke e blinduar perimetrin rreth godinës.
Në terren ndërkohë, do të përfshihen edhe agjentë civilë, të cilët do të monitorojnë nga brenda protestën, për mbarëvajtjen e saj.
Dera e Kryeministrisë ndërkohë pritet të blindohet me një pjesë të shtuar metalike.
Ndërsa, përgjatë gjithë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, janë vendosur nga autoritetet kamera me rezolucion të lartë, për evidentimin e çdo problematike.
Disa segmente rrugore ndërkohë do të jenë të bllokuara, duke filluar një orë përpara protestës.
Ato do të jenë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Në këto akse, nuk do të lejohet kalimi i automjeteve.
Nisja e protestës pritet të jetë në orën 12:00.
“Pjesëmarrja do të variojë 80 mijë deri në 100 mijë protestues. Protestuesit do të grumbullohen në selinë e Partisë Demokratike, sheshin Nënë Tereza dhe sheshin Skënderbej dhe do të lëvizin në drejtim të Bulevardit Dëshmorët e Kombit”, shkruhet në njoftim.
Gjithashtu bëhet me dije se foltorja do të vendoset në Bulevard përballë Kryeministrisë dhe personat që do të flasin do të jenë drejtues të Partisë Demokratike dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.