Kremlini tha sot se do të bëjë ç’është e mundur për të mos lejuar perëndimin të konfiskojë pasuritë e tij për të paguar për dëmet e shkaktuara në Ukrainë. Këto komente pasojnë rezolutën e miratuar dje nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ku dënohet sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës dhe i kërkohet Moskës të paguajë dëmet e shkaktuara nga lufta.
Rezoluta, e miratuar nga 94 prej 193 anëtarëve të OKB-së, thotë se Rusia, e cila e nisi luftën kundër Ukrainës në shkurt, “duhet të mbajë përgjegjësi për gjithë pasojat ligjore të veprimeve të saj, duke përfshirë kompensimin për çdo dëm”.
Ambasadori i Ukrainës në OKB Sergiy Kyslytsya tha se Rusia ka goditur gjithçka, nga fabrikat deri te ndërtesat civile dhe spitalet.