Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar se lija e majmunëve nuk është më një “urgjencë shëndetësore” globale, duke i dhënë fund alarmit pothuajse njëvjeçar mbi sëmundjen virale, rastet e së cilës janë konfirmuar në më shumë se njëqind vende, transmeton Hina.
Organizata e shpalli linë e majmunëve një emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik në korrik 2022 dhe mbështeti pozicionin e saj në nëntor dhe shkurt.
Përcaktimi i OBSH-së është krijuar për të shkaktuar një përgjigje të koordinuar ndërkombëtare dhe për të çliruar burime për bashkëpunim në ndarjen e vaksinave dhe trajtimit.
Më shumë se 87,000 raste të lisë së majmunëve janë konfirmuar në mbarë botën nga fillimi i vitit 2022 deri më 8 maj të këtij viti, sipas raportit të fundit të OBSH-së.
Megjithëse OBSH vuri në dukje një rënie të vazhdueshme të numrit të rasteve të raportuara në fillim të vitit, ajo gjithashtu shprehu shqetësimin për rigjallërimin e mundshëm në disa rajone dhe vazhdimin e transmetimit në disa vende.