Një vajzë 16-vjeçare nga qytetit veriperëndimor iranian i Ardabilit ka vdekur pas plagëve të marra. Ajo ishte rrahur nga policia pasi kishte refuzuar që të këndonte himnin pro-regjimit, kur shkolla e saj u bastis nga agjentët e sigurisë.
Këshilli Koordinues i Sindikatave të Mësuesve të Iranit konfirmoi se Asra Panahi ka vdekur pas bastisjes së forcave të sigurisë në shkollën e mesme të vajzave në Ardabil më 13 tetor.
Sipas këshillit, autoritetet në qytetin Ardabil i morën nxënëset nga shkolla e mesme Shahed dhe i dërguan në një protestë pro-qeveritare, duke kërkuar nga to që të këndonin himnin dhe të lavdëronin liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Pasi nxënëset refuzuan, forcat e sigurisë i sulmuan dhe i rrahën shumë prej tyre. Dhjetë u morën nga forcat e sigurisë dhe u dërguan në një vend të panjohur, ndërkaq shtatë u plagosën. Panahi raportohet se vdiq në një spital më 14 tetor.
Zyrtarët iranianë kanë mohuar se forcat qeveritare të sigurisë kanë rrahur nxënëset.
Irani është përballur me trazira – që paraqesin sfidën më të madhe ndaj regjimit islamik që nga revolucioni i vitit 1979 – që nga 16 shtatori, pas vdekjes së Mahsa Amini, 22 vjeçe, e cila vdiq në mbajtje policore, pasi ishte arrestuar nën dyshimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.