Dy nga vendimet që u morën sot në Këshillin e Ministrave lidhen me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
Këtë e bëri të ditur ministrja Evis Kushi gjatë fjalës së saj.
Vendimi i parë ka të bëjë me tekstet shkollore në arsimin parauniversitar. Qeveria vendosi që për nxënësit e klasave nga e para në të tretë, tekstet të ofrohen falas çdo vit.
“Pra nxënësit të mos kenë detyrimin që në fund të vitit shkollor t’i dorëzojnë tekstet për t’i përdorur nxënësit e tjerë. Kemi vendosur kështu sepse për nxënësit e klasave fillore, nga klasa e parë në të tretën, nga njëra anë janë shumë të vegjël dhe e kanë ende të vështirë që ta mirëmbajnë librin siç duhet dhe ky më pas të jetë i përdorshëm, por nga ana tjetër tekstet, programet janë të tilla që mbi tekste ka edhe shënime, ka edhe ushtrime ku nxënësit duhet të shkruajnë dhe më pas është e vështirë që t’i fshijnë dhe tekstet të përdoren nga nxënësit e tjerë”, u shpreh Kushi.
Ndërkohë, ministrja bëri me dije një vendim tjetër të rëndësishëm që lidhet me Sportin.
“Konkretisht ne kemi kërkuar një buxhet shtesë për MAS për shpërblimin e sportistëve elitarë. Siç jemi të gjithë dëshmitarë, këtë vit sportistët tanë elitarë kanë patur rezultate të shkëlqyera në raport me vitet e kaluara. Na kanë nderuar, na kanë bërë krenarë me medalje ari, argjendi, me rezultate shumë të mira në kampionate evropiane, madje dhe botërore. Madje ne kemi kampionë botërorë. Dhe këto rezultate tashmë i kanë tejkaluar edhe parashikimet tona dhe planifikimet tona buxhetore nga viti i kaluar”, shtoi Kushi.
Në këtë mënyrë institucioni kishte nevojë për një shtesë fondi prej 45 milionë lekësh.
“Kështu që në këtë vendim, jo vetëm që u miratua kjo shtesë por janë të specifikuar edhe të gjithë sportistët elitarë së bashku dhe me trajnerët e tyre. Sepse e dimë tashmë që ne legjislacionin e kemi përafruar me BE-në. Ne vlerësojmë apo shpërblejmë jo vetëm sportistët që marrin medalje, por edhe trajnerët e tyre”, përfundoi ajo.