I akuzuar se shtyu bashkëshorten drejt vetëvrasjes, Xhemal Loka, është lënë në burg. Para togave të zeza, ai ka mohuar të ketë gisht në vetëvrasjen e Bedrie Lokës.
Xhemal Loka ka thënë se bashkëshortja kishte marrë kërcënime duke shtuar se për këtë, ishte në dijeni edhe familja e saj. Teksa mohoi akuzat, kërkoi masë “detyrim paraqitje” për shkak të 4 fëmijëve.
“Nuk jam dakord me prokurorin. Nuk janë në dijeni për problemet tona. Kemi pas kërcënime. Nusja ime është kërcënuar. Edhe unë me telefon në 2 të natës në Greqi. Muhamet Bushi, vëllai I nuses time ka qenë në dijeni dhe për kërcënimet që ka pasur. I nxorën dhe një foto të dytë në maj ku i thonin që nuk kemi mbaruar akoma. Nuk arrita ta kuptoj që do arrinte këtu.
I kisha kërkuar që të mos dilte e pashoqëruar nga njëri prej fëmijëve. Djali e kishte gjet në orën 5 të mëngjesit zgjuar dhe e kishte pyetur ç’po bën dhe ishte në internet. Ajo është nëna e 4 fëmijëve të mi. Gjithçka e kam lënë në emër të saj. Denoncimin në polici për foton e ka bërë por nuk e di ku ka ngecur hetimi. Jam bërë me vra veten tani. Kam 4 fëmijë rrugëve. Kërkoj detyrim paraqitjeje se ata fëmijë duan të hanë bukë”, ka deklaruar Loka.