Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën marrëveshje dje me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Josep Borrell për një zgjidhje të krizës së vazhdueshme në Kosovë, kështu thuhet në deklaratën që ka dhënë ditën e sotme Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në këtë drejtim, administrata amerikane i ka kërkuar kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç që të punojnë me Borrell për të arritur “një kompromis të drejtë”.
“Si kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç do të duhet të bëjnë lëshime për të siguruar që ne të mos rrezikojmë paqen e fituar me vështirësi në një rajon tashmë të brishtë. Ne i bashkohemi BE-së për t’i bërë thirrje Kosovës që të pezullojë menjëherë çdo masë të planifikuar që do të rriste tensionet, përfshirë vendosjen e gjobave për automjetet”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Megjithatë, SHBA u ka bërë thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga ndërmarrja e veprimeve provokuese dhe të përmbushin detyrimet e tyre në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE.