Me vendim Gjykate, ditën e djeshme, grupi hetimor ka ushtruar kontrolle në shtëpinë e zyrtares Alda Klosi, ku “falë” vjedhjes nga pastruesja iu zbuluan 120 mijë euro.
Ndërkohë, mësohet se ajo është marrë në pyetje ditën e sotme, ku i ka qëndruar deklaratës së saj se 400 mijë eurot e gjendura në tubin aspiratorin e pastrueses Rozeta Dobit, nuk janë të sajat.
“Më kanë humbur jetën 120 mijë euro, të tjerat nuk më përkasin mua”, mësohet t’u ketë thënë Alda Klosi hetuesve.
Pronari i këtyre eurove janë ende pa zot, pasi Rozeta Dobi ka zgjedhur të mos flasë në gjykatë, por vetëm në polici në deklaratën e parë ka pranuar se 120 mijë euro, përfshirë në këtë vlerë edhe bizhuteritë, i ka marrë në shtëpinë e Alda Klosit pasi e kishte inat. Hetuesit kanë dyshime se pastruesja Rozeta Dobi të ketë vjedhur edhe në shtëpi të tjera, por ende nuk dihet se kujt.
Nga ana tjetër, ndonëse zyrtarja ka deklaruar se 120 mijë euro që i kanë vjedhur ishin të familjes së xhaxhait të saj që rrinte në Amerikë, i cili ia ka lënë për të kompletuar shtëpinë dhe për nevoja pasi ai ishte i sëmurë me kancer, kjo deklaratë e saj nuk është besuar. Prandaj ka nisur një hetim pasuror ndaj saj.