Norma mesatare e interesit të depozitave në lekë shënoi për muajin shtator nivelin më të lartë në të paktën shtatë vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat në shtator kërceu në 1.45%, në rritje për të tretin muaj radhazi. Krahasuar me muajin mars, kur Banka e Shqipërisë nisi ciklin rritës të normës bazë, interesi mesatar i depozitave me afat në lekë është rritur me 0.75 pikë përqindje ose 107%.
Rritja e normave të interesit të depozitave është rezultat i mekanizmit të transmetimit të politikës monetare. Deri në muajin shtator, Banka e Shqipërisë e kishte rritur normën bazë të interesit në nivelin 1.25%, ndërsa me dy rritjet e fundit të tetorit dhe nëntorit norma bazë ka arritur tashmë në 2.75%.
Rritja e shpejtë e normës bazë të interesit ka nxitur një rritje të shpejtë të yield-eve të bonove dhe obligacioneve qeveritare. Yield-i mesatar i bonove 12 mujore të thesarit në fillim të nëntorit ka arritur në 5.74%, niveli më i lartë që prej vitit 2013. Yield-et e bonove janë rritur madje me ritëm më të shpejtë se norma bazë e interesit, për shkak të pritshmërive të investitorëve për rritje të shpejtë të normave në të ardhmen e afërt.
Rritja e shpejtë e yield-eve po i bën instrumentet e borxhit të qeverisë joshëse edhe për investitorët e vegjël, duke shtuar konkurrencën me depozitat bankare për kursimet e publikut. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve për nëntë muajt e parë të këtij viti u rritën me 138% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Individët investuan një shumë rekord prej 30.2 miliardë lekësh ose rreth 258 milionë eurosh në borxhin e ri të emetuar nga qeveria shqiptare në tregun e brendshëm financiar. Në këtë mënyrë, rritja e yield-eve ka krijuar presion mbi bankat për të rishikuar edhe normat e interesit të depozitave.
Deri tani, rritja e interesit mesatar të depozitave ngelet më e ulët se rritja e normës bazë, por kjo ishte e pritshme, duke konsideruar se në përgjithësi sektori bankar është mjaft likuid dhe përcjellja e lëvizjeve të normës bazë në interesat e depozitave dhe kredive të reja përgjithësisht është më e ngadaltë krahasuar me tregun primar të borxhit të qeverisë.
Ndërkohë, rritja e normave të interesit në tregun financiar po fillon të reflektohet edhe në çmimin e kredive të reja në lekë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se në muajin shtator, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë arriti në 7.07%, niveli më i lartë që prej shkurtit të vitit 2018./ Monitor