Themeluesi i Amazon dhe njëkohësisht njeriu i dytë më i pasur në planet, Jeff Bezos ka zbuluar së fundmi se planifikon të dhurojë pjesën më të madhe të pasurisë së tij prej 124 miliardë dollarësh përgjatë viteve në vijim.
Bezos është kritikuar në të kaluarën për mos nënshkrimin e Giving Pledge, një fushatë e themeluar nga Warren Buffett dhe Bill Gates për të inkurajuar më të pasurit që të dhurojnë pjesën më të madhe të pasurisë së tyre në bamirësi.
I pyetur drejtpërdrejt nga CNN nëse planifikonte të jepte pjesën më të madhe të parave të tij, Bezos pohoi lajmin menjëherë, teksa i tha transmetuesit amerikan se ai dhe partnerja e tij, gazetarja e kthyer në filantropiste Lauren Sanchez, po “kërkonin mundësitë për të qenë në gjendje t’i jepnin këto para”.
Ai tha se paratë do të shkojnë për qëllimet që punojnë për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe për të mbështetur njerëzit që veprojnë në ndihmë të kauzave humanitare.