Koleksioni i kompjuterëve të prodhuar nga Apple, i cili përfshin artikuj pothuajse gjysmë shekulli të vjetër dhe që pason zhvillimin e një prej kompanive më me ndikim në botë, do të ofrohet për shitje në Kaliforni në fund të marsit, raporton AFP.
Tifozët e kompanisë revolucionare të Steve Jobs do të jenë në gjendje të blejnë një koleksion pajisjesh që tregojnë se si Apple u bë një emër i njohur.
Arkivi përmban më shumë se 500 kompjuterë dhe pajisje Apple të mbledhura nga pedagogu dhe sipërmarrësi zviceran Hanspeter Luzi për dekada.
“Të gjitha këto produkte me të vërtetë formësuan kohën dhe çuan në ndryshime shoqërore në mënyrën se si ne punojmë, mësojmë, veprojmë dhe komunikojmë, madje edhe kalojmë kohën tonë të lirë,” tha Erik Rosenblum nga Julien’s Auctions në Beverly Hills. “Jemi në një kohë interesante. Tani për tani, kur kemi kaluar nga përdorimi i përditshëm i kompjuterëve Apple në një ekspozitë historike”.
Koleksioni përfshin një Apple II Plus, i cili ishte në përdorim nga viti 1979 deri në 1982, së bashku me një monitor dhe konzolla lojërash (pajisje për video-lojëra), si dhe një Macintosh origjinal të vitit 1984.
“Të gjitha ato ekspozita janë gjyshërit e iPhone, iPad dhe iMac-ve tanë,” tha Rosenblum. “Është vërtet interesante të shohësh evolucionin”.
Ankandi i planifikuar për 30 mars do të pasojë pasi iPhone origjinal i vitit 2007, i cili nuk u hoq kurrë nga kutia, u shit për 63,000 dollarë.