Zvicra e ka nisur në mënyrën më të mirë Kupën e Botës, duke e mposhtur Kamerunin me rezultat 1:0.
Pjesa e parë e këtij dueli nuk solli gola, derisa edhe rastet për të shënuar ishin të pakta.
Më të mirin rast për Zvicrën e pati mbrojtësi i Manchester City-t, Manuel Akanji, por goditja e tij shkoi fare pranë portës.
Në anën tjetër, për kombëtaren afrikane e pati një rast të mirë edhe sulmuesi i Bayern Munich-ut, Choupo-Moting, por goditja e tij u bllokua nga mbrojtja helvete.
Skuadrat shkuan në pushim me porta të paprekura, ndërsa në fillim të pjesës së dytë, Zvicra kaloi në epërsi.
Nuk kaluan as tre minuta nga fillimi i fraksionit të dytë, futbollisti nga Kosova, Xherdan Shaqiri, dhuroi një asistim perfekt për Breel Embolo, e ky i fundit shënoi për 1:0 ndaj vendit të tij ku ka lindur.
Interesant është fakti se ky ishte asistimi i 12-të i Shaqirit në Kampionat Botëror apo Evropian, që në total Zvicra ka 24. Do të thotë, gjysmën e asistimeve për Zvicrën i ka bërë futbollisti i lindur në Gjilan.
Në minutën e 57-të, Kameruni pati një mundësi shumë të mirë për ta barazuar rezultatin, por goditja e Choupo-Moting nga afër, u ndal nga portieri zviceran, Yann Sommer.
Zvicra e pati një mundësi të artë në minutën e 66-të për ta dyfishuar epërsinë, por portieri kamerunas, Andre Onana, bëri një pritje të shkëlqyer.
Në vazhdim të ndeshjes, kombëtarja zvicerane arriti ta ruajë avantazhin prej një goli, epërsi kjo që i jep tre pikë të arta në grupin e vështirë në të cilin gjendet.
Ndeshjen e radhës, Zvicra do ta luajë ndaj Brazilit më 28 nëntor, ndërsa në ndeshjen e fundit do të ballafaqohet me Serbinë.