Prokurorët suedezë kanë njoftuar se një “aktor shtetëror” është fajtori më i mundshëm pas shpërthimeve të vitit të kaluar në gazsjellësin Nord Stream në Detin Baltik, të cilat konsiderohen si sabotim.
Prokuroria, megjithatë, paralajmëroi se ende nuk dihet identiteti i autorit dhe se do të jetë e vështirë të përcaktohet nga rrethanat.
Autoritetet suedeze deklarojnë se duan të përcaktojnë nëse shpërthimet janë përgatitur në territorin e Suedisë dhe se hetimi i prokurorisë është fokusuar në shqyrtimin nëse nga ky akt janë kërcënuar interesat apo siguria e atij vendi.
Gazetarët gjermanë që mbuluan rastin muajin e kaluar cituan zyrtarë të paidentifikuar të kenë thënë se pesë burra dhe gra përdorën një jaht të marrë me qira nga një kompani ukrainase në Poloni për të kryer sulmin.
Qeveria ukrainase ka mohuar përfshirjen në këtë rast.
Në tubacionet e gazit North Stream 1 dhe 2, të cilat çojnë nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik, u zbuluan katër rrjedhje gazi më 26 dhe 27 shtator të vitit të kaluar.
Dy nga rrjedhjet ishin në zonën ekonomike suedeze, në verilindje të ishullit danez të Bornholm, dhe dy ishin në zonën ekonomike daneze, në juglindje të Bornholm.
Matjet sizmike suedeze dhe daneze treguan se shpërthimet ndodhën disa orë përpara se të zbuloheshin rrjedhjet e gazit.
Hetuesit në Danimarkë, Suedi dhe vende të tjera menjëherë dyshuan se shpërthimet ishin sulme të qëllimshme dhe i konsideruan ato si sabotim.
Tubacionet e gazit nuk ishin në funksion në kohën e shpërthimeve, për shkak të mosmarrëveshjes midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian mbi pushtimin rus të Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara dhe disa aleatë kanë kritikuar prej kohësh tubacionet Nord Stream 1 dhe 2, duke paralajmëruar se ato përbëjnë një rrezik për sigurinë energjetike të Evropës duke rritur varësinë e saj nga gazi rus.