Starton sot viti i ri akademik 2023-2024 në të gjitha universitetet publike dhe private të vendit. Janë rreth 120 mijë studentë të të dyjave cikleve, bachelor dhe master që do nisin universitetin, ndërkohë që rreth 20 mijë studentë do të ulen për herë të parë në auditor.
Sipas të dhënave nga portali universitar, në institucionet publike janë regjistruar rreth 75% e studentëve ndërsa pjesa tjetër ka preferuar universitetet private.
Degët më të preferuara mbeten ato të shëndetësisë ku ndër to spikat ajo e infermierisë. Këtë vit akademik 400 studentë të Mjekësisë së Përgjithshme nisin vitin e ri akademik me një ligj të ri, i cili i detyron që pas përfundimit të studimeve, kanë kusht se duhet të kontribuojnë për vendin dhe të punojnë 5 vite në institucione publike shëndetësore.
Këtë vit akademik regjistrimet më të ulëta kanë qënë në degët si Kimi, Fizikë dhe Matematikë, ndërsa rritje është parë në degët e Bujqësisë.
Ky është viti i dytë akademik që qeveria ka ofruar mbështetje me bursë mujore sa paga minimale për disa degë të shpallur si degë prioritare, ku futen degët e bujqësisë, mësuesisë dhe burimeve minerare dhe gjeologjisë.