Besimtarët myslimanë në mbarë botën nisin sot muajin e shenjtë të Ramazanit. Për 30 ditë, ata mbajnë agjërim, një nga 5 kushtet e islamit. Dita e parë e Ramazanit është 11 marsi, ndërsa dita e fundit është më 9 prill. Ndërkaq Fitër Bajrami festohet më 10 prill.
Më ardhjen e muajit të shenjtë të Ramazanit nuk kanë munguar as urimet për besimtarët myslimanë. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu ka uruar të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit për më shumë paqe dhe begati në këtë muaj adhurimi. Spahiu u shpreh se lutjet shkojnë që të arrihet sa më shpejt paqja në Ukrainë e në Rripin e Gazës.
“E lusim zotin që të na mundësojë që të dalim të falur në fund të këtij muaji, të na bëjë paqe e begati, që të arrihet sa më parë paqja mes palëve në Gaza, Ukrainë dhe në çdo vend ku ka konflikte dhe njerëzit që gjejnë qetësinë e merituar dhe të kalojnë një Ramazan të Begatë”, thotë Spahiu.
Një mesazh e patën edhe myftiu i Shkodrës dhe Korçës për besimtarët myslimanë, të cilët fokusin e vendosën edhe tek familjet në nevojë, të cilave duhet t’u qëndrojmë pranë sidomos në këto ditë. Urimet nuk munguan as nga politika.
Muaji i Shenjtë i Ramazanit
Ramazani është muaji më i rëndësishëm për të gjithë myslimanët. Është koha kur zakonet dhe detyrimet tona jetësore ua nënshtrojmë momenteve kur fillojmë agjërimin dhe kur bëjmë iftarin. Myslimanët në gjithë botën agjërojnë dhe nuk u lejohet të konsumojnë asgjë derisa dielli të perëndojë.
Ramazani konsiderohet si periudha ku trupi dhe shpirti pastrohet. Çdo vit për Ramazan, miliona myslimanë në të gjithë botën agjërojnë 30 ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Përveç pastrimit të shpirtit, agjërimi mbahet për tu solidarizuar me të varfrit, për të ndarë ushqimin me to. Gjatë Ramazanit, besimtarët kërkojnë falje për mëkatet, luten për ndihmë ndaj të këqijave dhe përpiqen të pastrohen nëpërmjet vetëpërmbajtjes dhe veprave të mira.
Vesa News uron të gjithë besimtarët myslimanë agjërim të lehtë dhe të pranuar.