Pasditen e së enjtes janë larguar barrikadat në fshatin Rudarë, i cili gjindet në komunën e Zveçanit, raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga terreni.
Sipas informatave nga terreni, po bëhen përgatitje për largimin e barrikadave edhe në Mitrovicë të Veriut.
Barrikadat janë hequr nga rrugët edhe në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.
Te barrikada në Rudarë dhe tek ajo në Mitrovicë të Veriut janë të pranishëm njerëz me maska.
Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.
Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës.
Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet për sulm ndaj zyrtarëve kosovarë, në fillim të dhjetorit.
Më 28 dhjetor, Pantiqit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.
Për barrikadat, Kosova ka fajësuar “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë.