Lucien Favre nuk është më trajner i Nice. Skuadra franceze njoftoi shkarkimin e 65-vjeçarit, i cili mbante postin që nga 27 qershori 2022. Nice vendosi të heqë qafe teknikun zvicerian pas eliminimit nga Kupa e Francës, në një humbje ndaj një skuadre të kategorisë së tretë franceze. Zviceriani bëhet trajneri i nëntë që largohet nga 20 skuadrat e Ligue 1 franceze, e cila deri më tani nuk ka luajtur as fazën e parë të kampionatit.
Lista është e gjatë me trajnerët e shkarkuar tashmë nga skuadrat elitare franceze. Deri më tani ka pasur ndryshime në pankinat e skuadrave si Lioni, Brest, Auxerre, Reims, Montpellier, Troyes, Angers dhe Strasbourge, duke i shndërruar pankinat e klubeve franceze si të paqëndrueshme. Drejtimin e skuadrës franceze do e marrë përkohësisht Didier Digard. Aktualisht Nice gjendet në vendin e 11-të në kampionat, ku ka grumbulluar 21 pikë dhe distancuar me 8 nga zona e rënies e 13 nga zona europiane./ Klan News