Avokati Spartak Ngjela reagoi pas ngjarjes në Uzinën e armëve në Gramsh, ku dy ushtarë u sulmuan nga dy rusë e një ukrainas. Në një postim në Facebook, Ngjela ngriti disa pyetje për kryeministrin Edi Rama në lidhje me planin e Ramës për t’u dhënë shtetësisë shqiptare të huajve.
Ngjela shkruan se Rama duhet të tërhiqet nga kjo çështje, pasi është me rrezik për vendin tonë ku spiunë mund të futen të kamufluar në vendin tonë.
“Kërkesa e Edi Ramës për dhënien e shtetësisë shqiptare të huajve pa kriter ligjor, nuk dihet se çfarë është: Është kërkesë e Moskës për të hyrë e kamufluar në Bashkimin Evropian? Është kërkesë e terrorizmit islamik radikal për të hyrë me kamuflim në Bashkimin Evropian? Është kërkesë e rretheve antiperëndimore për të penetruar qetësisht në Perëndim? Apo kjo është mendjelehtësi e kryeministrit shqiptar që nuk e njeh historinë dhe prandaj nuk i kupton dot dasitë historike Lindje-Perëndim?! Nuk ka më rëndësi se cila nga këto pyetje i takon Ramës, se, fakti që këto dhe të tjera pikëpyetje si këto ngrihen në këtë çështje, ai duhet të tërhiqet. Megjithëse, çështja e dhënies së shtetësinë është kompetencë ekskluzive e Presidentit të Shqipërisë. Të shohim…”, shkroi Ngjela.
Në Uzinën e armëve në Gramsh, dy rusë (një burrë e një grua) dhe një ukrainas sulmuan dy ushtarë mbrëmjen e të shtunës, pasi donin të futeshin brenda në Uzinë edhe pse nuk lejohej. Tre të huajt janë arrestuar pas dyshimeve se mund të jenë agjentë të Moskës.
Ata i kanë mohuar akuzat, e thonë se janë blogerë me interes për uzinat ushtarake. Kjo ngjarje ka marrë vëmendjen jo vetëm të figurave me rëndësi në vend e Kosovë, por edhe të mediave ndërkombëtare.