Prej muajsh, dalin shifra dhe statistika që dëshmojnë ndëshkimin që pësojnë punonjësit e Policisë së Shtetit nga Agjencia që i mbikëqyr.
Në 6-mujorin e parë të këtij viti, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka çuar në prokurori për t’u hetuar 188 efektivë të sektorëve të ndryshëm në të gjithë vendin. Krahas tyre, në organin e akuzës po hetohen edhe 3 punonjës të Gardës së Republikës.
Referuar raporteve të AMP-së, gjatë kësaj periudhe janë arrestuar me masa sigurimi dhënë nga gjykata, 23 punonjës policie, si dhe 3 gardistë. Muaji qershor ka numrin më të lartë të efektivëve të policisë të hetuar.
Janë dërguar në prokurori 50 punonjës policie, ku 6 prej tyre janë arrestuar me vendime gjykate. Kryesisht, ata dyshohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion, por edhe për vepra të tjera penale, si mosveprim, apo veprime arbitrare.
Rasti më i fundit ishte masa arrest shtëpie e dhënë për dy ish- nëndrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushin dhe Nikollaq Palla, për deklarim të rremë e shpërdorim detyre, se nuk reaguan në kohë për të parandaluar vrasjen e Pjerin Xhuvanit, 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.
Ndërsa, 6 efektivë të tjerë u pezulluan nga detyra. Në raportin e APM-së, citohet se gjithsej në muajin që lamë pas, kjo Agjenci ka trajtuar 220 ankesa. Numrin më të lartë të tyre e mbajnë ankesat për shkeljet që kanë kryer efektivët e Rendit dhe Sigurisë Publike.
Janë trajtuar për këtë kategori 90 ankesa. Lista e ankesave pasohet nga Policia Rrugore, ku janë trajtuar 83 ankesa. 36 ankesa të tjera janë trajtuar për efektivët e Hetimit të Krimit dhe për pak për sektorët e tjerë.