Kolegji i Posaçëm të Apelimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren e Apelit të Durrësit Anita Mici. Ishte Komisioneri Publik ai që ankimoi vendimin e KPK që kishte konfirmuar në detyrë gjyqtaren Anita Mici edhe pse ajo u përballë me vendimin për lirimin nga burgu të Lulzim Berishës.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 7/2021, datë 28.01.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 287, datë 04.08.2020, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Anita Mici.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
1. Ndryshimin e vendimit nr. 287, datë 04.08.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Anita Mici.
2. Ky vendim është përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 23.02.2023″, thuhet në vendim.
Në dhjetor 2016, gjyqtarët e Apelit në Durrës Arben Vrioni, Anita Miçi dhe Petrit Çeno liruan nga burgu ish-kreun e Bandës së Durrësit, Lulzim Berishën kur këtij të fundit i kishin mbetur edhe 5 vite dënim. Po ashtu edhe Arben Vrioni e Petrit Çeno janë shkarkuar nga Vetingu. Ndërsa në nëntor 2018, sërish Apeli i Durrësit me përbërjen e Arjan Balliu dhe Anita Micit, projektuan lirimin nga burgu të Viktor Ymerit, i dënuar me burgim të përjetshëm për dy vrasje. Edhe Arjan Balliu është shkarkuar nga Vettingu.