Më 2 mars 1444 në Kishën katedrale të Shën Kollit në qytetin e Lezhës, u mbajt Besëlidhja e Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Në kuadër të 580 vjetorit të Kuvendit të Besëlidhjes Bashkia e Lezhës ka organizuar shumë aktivitete festive. Nesër, më 2 Mars nga ora 09:30 nisin manifestim madhështore në kuadër të kësaj dite. Kryetari i Bashkisë së Lezhës në një ftesë publike që ka bërë për qytetarët për të marrë pjesë në këto festime ka bërë të ditur edhe agjendën e aktiviteteve.
Njëra prej datave më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, pa dyshim se është edhe Besëlidhja e Lezhës, e njohur edhe si “Lidhja Shqiptare e Lezhës”, Kuvendi i Lezhës, apo Liga e Princërve Shqiptarë. Kjo lidhje ka të bëjë me Kuvendi i Princërve Shqiptarë të viteve 1444, të cilët me nismën e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, i cili një vit më parë ishte kthyer në Krujë me qëllim që të bashkonte forcat e principatave shqiptare për kundërvënie Perandorisë Osmane. Organizator i Kuvendit ishte prijësi i Principatës së Kastriotëve Gjergj Kastrioti. Qëllimet e kuvendit ishin bashkimi i sa më shumë principatave të vendeve të Ballkanit e më gjerë të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit.
Krijimi i një Besëlidhje mbarë-shqiptare ishte bërë mbi principe të gjuhës, dokeve dhe traditave të veçanta, në krye me Skënderbeun. Besëlidhja parashihte formimin një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës.
Të gjithë princërit u zotuan të përkrahnin me ushtarë, ushqime dhe para, me qëllim për t’u mbrojtur kundër Sulltan Muratit të Dytë. Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare.
Mbi parimet e Lidhjes së Lezhës, katër shekuj më vonë ishte themeluar edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Besëlidhje të tjera autentike kombëtare, të cilat bazoheshin në kodeksin shqiptar të organizimit për mbijetesë në kushte dhe rrethana të caktuara të historisë.