Ditën e nesërme myslimanët në të gjithë botën festojnë Kurban Bajramit. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu i ka uruar të gjithë shqiptarët dhe besimtarët myslimanë. Simbol i kësaj feste është sakrificë dhe durimi në emër të dashurisë për Zotin dhe bindjes ndaj madhështisë së Tij.
Spahiu ka dhënë edhe mesazhin që personat të cilët kanë mundësi të bëjnë kurban dhe ta shpërndajnë atë tek njerëzit në nevojë.
‘Kurban Bajrami është një festë që materializon bindjen e lartë, dorëzimin, durimin dhe sakrificën e njeriut ndaj Zotit të gjithësisë. Kurban Bajrami është festë që përjetohet në çdo zemër e në çdo vatër. Është pjesë e gjithë shoqërisë. Ata që kanë mundësi presin kurban dhe shpërndajnë për çdo njeri e familje në nevojë, e kjo e bën këtë festë që të futet në çdo shtëpi. Të gjithë e ndiejnë atmosferën dhe solidaritetin e kësaj feste. Kjo festë, që u bë simbol i sakrificës dhe durimit, është sakrifica që bëri profeti Ibrahim dhe durimi që tregoi profeti Ismail të dyja në emër të dashurisë për Zotin dhe bindjes ndaj madhështisë së Tij. Zoti e do njeriun dhe e ka cilësuar si krijesën e tij të arrirë, e qëllimi nuk ishte flijimi, por sprova, e cila ndodhi për të na shërbyer edhe ne si shembull reflektimi e devocioni. Motra dhe vëllezër, i lutem Zotit të na mundësojë ta kalojmë sa më mirë këtë festë. I lutem Zotit që t’u pranojë haxhin mbi 800 haxhinjve shqiptar të cilët sot ndodhen në haxh, e pikërisht në Malin Arafat, vendin e shenjtë për myslimanët. I lutem Zotit të mëshirojë të gjithë të dashurit tanë që nuk jetojnë më’, tha Bujar Spahiu.