Duke iu referuar ngjarjes së Gramshit ku u sulmuan dy ushtarët shqiptarët nga tre shtetas rusë, gazetarja e njohur Anila Hoxha ka theksuar se nuk është e vërtetë që Uzina nuk ka pasur aktivitet.
Gazetarja Hoxha evidenton faktin se sipas një e-maili të dërguar një vit më parë, konfirmohej se në këtë uzinë po demontoheshin dhjetëra-mijëra armë dhe municione, përfshi 5 ton lëndë plasëse.
Sipas gazetares, tre shtetasit e huaj, dy rusë dhe një ukrainas, kanë cenuar rëndë sigurinë kombëtare dhe se ata nuk janë thjesht “blogerë” me dronë dhe aparate fotografuese.
Reagimi i plotë i Anila Hoxhës:
Për shkak se po mbledh të dhëna për dokumentarin Exclusive, informacioni i saktë është se në Uzinën Mekanike të Gramshit ka armë që demontohen. Nuk është muze dhe PO është zonë ushtarake. Këta “ Blogeret” rusë që hyjnë e përleshen me ushtarët shqiptarë kurse bashkëpunëtorët e tyre tentojnë të arratisen kur e kanë makinën me drone e aparate, pa egzagjerim kanë prekur sigurinë kombëtare. Shqipëria është vend anëtar i NATO dhe rusët kanë kohë qe kryejnë aktivitete spiunazhi këtu. Ti shohim faktet në sy edhe nëse “ blogerët” përdorin spray kimik. Poshtë përgjigjja e Ministrisë së Mbrojtjes (e shkurtuar nga unë) për Uzinën e Mekanike të Gramshit , nisur me email një muaj më parë. Ministri i Mbrojtjes duhet të informohet më mirë për armët që gjenden në Uzina dhe JO, s’është e vërtetë qe aty s’ka aktivitet. E njëjta Ministri pranon demontimin në emailin e nisur dhe për gjendjen stok të armeve nën proces aty.