Zëvendës kryeministrja dhe ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, bëri me dije se në nëntor të vitit 2023 do të hapet kantieri për HEC-in e Skavicës.
Faza e parë e nisjes së punimëve për realizimin e projektit – studimin gjeoteknik, rrugët paraprake të ndërtimit dhe përfundimin e vlerësimit social – nisi më 2 tetor të vitit 2020 me prezencën e ministres Balluku dhe ambasadores amerikane Yuri Kim.
“Bechtel” e nënshkroi kontratën me ministren Balluku, më 5 korrik.
Gjatë çeljes së punimeve u bë me dije se kjo fazë vlerësohet të përfundojë në nëntor të vitit 2022.
Ndërsa ndërtimi i uzinës pritet të zgjasë rreth katër vjet.
Në fazën e dytë do të fillojë puna për ndërtimin e HEC-it.
Këshilli i Ministrave më 4 mars miratoi projektligjin, sipas të cilit kompanisë “Bechtel” iu dha autorizimi për të projektuar dhe ndërtuar hidrocentralin e parë të kaskadës së Drinit.
Ky projekt mori dritën jeshile më 3 tetor të vitit 2020, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financimin e projektit.
Hidrocentrali do të jetë i aksesueshëm si nga Rruga e Kombit, ashtu dhe nga Rruga e Arbrit.
Përfitimet e këtij projekti do të prekin fusha të ndryshme, si: peshkimi, turizmi edhe punësimi.
Më herët, kryeministri Edi Rama u shpreh se kontributi i këtij projekti në vlerat ekonomike shqiptare do të jetë shumë i lartë.
Në maj të 2020-ës, kryeministri tregoi se ky hidrocentral do të ndërtohej me fondet e qeverisë shqiptare, por më pas vendimi ndryshoi.
HEC Skavica është vepra energjetike më strategjike në vend dhe rezervuari ujor më i rëndësishëm i Shqipërisë me rreth 7 miliardë m3 ujë.