Japonia ndërmori një hap të premten më 17 shkurt drejt rritjes së moshës së pëlqimit për aktivitet seksual në vend, e cila aktualisht është veçanërisht e ulët (13 vjeç), si pjesë e një reforme të gjerë të legjislacionit të saj kundër sulmeve seksuale.
Ekspertët e porositur nga Ministria e Drejtësisë kanë propozuar ngritjen e moshës minimale të pëlqimit për aktivitet seksual në 16 vjeç, si dhe reforma për të lehtësuar ndjekjen penale të përdhunimit dhe kriminalizimin e vojeurizmit.
Rekomandimet vijnë pas një sërë lirimesh në Japoni për rastet e përdhunimeve në vitin 2019, vendime që zemëruan paditësit dhe çuan në protesta nga gratë në të gjithë vendin në solidaritet me viktimat.
Amendamentet legjislative të bazuara në këto propozime mund të miratohen nga Parlamenti më vonë këtë vit.
Mosha e pëlqimit seksual në Japoni është më e ulëta në mesin e vendeve anëtare të G7, dhe gjithashtu është më e ulët se në Kinë dhe Korenë e Jugut, vende fqinje të arkipelagut.
Sipas ligjit japonez për këtë çështje, i cili nuk është ndryshuar deri më tani që nga prezantimi i tij në 1907, të miturit e moshës 13 vjeç e lart konsiderohen të aftë për të pranuar vullnetarisht aktivitete seksuale. K
jo e bën të vështirë për viktimat që janë kaq të reja në kohën e krimit që të nxjerrin para drejtësisë sulmuesit e tyre, ndërsa një akt i tillë do të ishte drejtpërdrejt përgjegjës për sanksione penale në shumë vende të tjera.