Gjykata rajonale e qytetit gjerman të Shtutgartit të premten e shpalli fajtor të dyshuarin si pjesë e lëvizjes së ekstremit të djathtë gjerman “Reichsburger” për tentativë vrasjeje dhe e dënoi me 10 vjet burg.
Këtë e bën të ditur Deutsche Welle.
62-vjeçari “Reichsburger” u shpall fajtor për vrasje të mbetur në tentativë, lëndim trupor, rezistencë dhe sulm ndaj punonjësve të rendit, largim vullnetar nga vendi i një aksidenti dhe drejtim të mjetit në gjendje të dehur.
Gjyqtarët e quajtën të provuar faktin që i pandehuri ka vepruar i udhëhequr nga ideologjia se ligji nuk zbatohej për të.
Në mesazhe dhe letra chat, ai i quajti policinë “militantë” dhe “terroristë”, dhe në vitin 2021 ai deklaroi se kishte të drejtën “t’i eliminonte [ata] pa u ndëshkuar”.
Në episodin kryesor të prokurorisë, patrulla e policisë ka tentuar tre herë pa sukses ta ndalojë burrin për tejkalim shpejtësie, tha gjykata.
Gjatë ndalimit të dytë, burri është përplasur me një punonjës policie, duke i shkaktuar lëndime të rënda në kokë.
Burri u ndalua nga një patrullë tjetër pasi policia qëlloi 25 të shtëna në makinën e tij.
I pandehuri gjithashtu dyshohet se ka sulmuar një grua në vitin 2021 pasi ajo refuzoi t’i shiste alkool për shkak se ai nuk mbante maskë mjekësore.
Burri përfundimisht u urdhërua t’i paguante 30,000 euro dëmshpërblim policit të plagosur.
Gjithashtu, i është hequr patenta e shoferit dhe i është konfiskuar vetura.
I dënuari 62-vjeçar u bë anëtari i parë i dyshuar i grupit “Reichsburgers” që u padit nga prokurori federal në gjykatë.
Dënimi erdhi dy ditë pasi policia kreu një seri bastisjesh të lidhura me “Reichsburgers” që përfshinte tetë shtete gjermane dhe shtetin federal fqinj të Zvicrës.
“Reichsbürger”, që do të thotë “qytetarë të Rajhut” në gjermanisht, është një grup i ekstremit të djathtë që mohon legjitimitetin e shtetit modern gjerman.
Ata besojnë se Rajhu Gjerman, i themeluar në 1871, ekziston ende.