Në Gjermani, pas më shumë se tre vitesh, masat mbrojtëse kundër pandemisë së koronavirusit nuk janë më të vlefshme, por politikanët paralajmërojnë se infeksioni ende paraqet rrezik për shëndetin.
“Masat po hiqen, por kjo nuk do të thotë se virusi korona është zhdukur. Kujdesi dhe vëzhgimi i situatës në terren mbeten ende instrumentet e politikës së mbrojtjes nga sëmundjet infektive”, tha Janosch Dahmen, zëdhënës i të Gjelbërve për politikën shëndetësore.
Masat e fundit si detyrimi për të veshur një maskë FFP2 në institucionet e kujdesit shëndetësor dhe shtëpitë e pleqve për vizitorët nuk janë më të vlefshme.
Këto institucione mund të vendosin vetë për rregullat e mbajtjes së maskës, transmeton Hina.
Kufizimet për hyrjen në Gjermani për shkak të pandemisë po marrin gjithashtu fund.
Masat si detyrimi për të mbajtur maska në transportin publik u hoqën në shkurt.
Rregullat për vaksinimin kundër koronavirusit po kalojnë nga urgjenca në sistemin e rregullt të kujdesit shëndetësor.
Në Gjermani, disa mijëra raste të reja të infeksionit regjistrohen ende çdo ditë.
Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach tha javën e kaluar se pandemia në Gjermani është “kapërcyer me sukses”.