Natën e 20 janarit, një burrë i armatosur hapi zjarr ndaj njerëzve nga ballkoni i një ndërtese banimi në qytetin Sagarejo në Gjeorgjinë lindore, 50 km nga Tbilisi.
Për këtë shkruan “Echo Kavkaza”.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjeorgjisë, pesë persona vdiqën, duke përfshirë një polic. Pesë persona u plagosën. Gjendja e tyre është e qëndrueshme.
Sipas dëshmitarëve okularë, të shtënat kanë nisur pranë klinikës Geo Hospitals dhe kanë zgjatur rreth një orë. U nis një operacion special, i cili tashmë ka përfunduar. Sulmuesi kreu vetëvrasje.
“Në vendngjarje ka mbërritur një njësi e forcave speciale, kanë filluar operacionet, sigurisht që e kanë thirrur të dorëzohet. Ai ka qëlluar edhe disa të shtëna. Kur kanë hyrë forcat speciale, ka qenë i shtrirë në shtrat, dhe aty ka qenë një automatik tek ai. Fillimisht kishte gjak. Por kishte edhe disa unaza nga granatat e dorës, kështu që ato mund të ishin vendosur atje ose të ishin nën të. Më pas u thirrën xhenierët, të cilët kontrolluan gjithçka. Tani ata kanë mbaruar punën e tyre, granata e dorës ishte shpërthyer tashmë”, tha ministri i Brendshëm gjeorgjian Vakhtang Homelauri.
Sulmuesi ishte një ish-ushtarak i lindur në vitin 1974. Ai ishte në shërbimin ushtarak nga 2006 deri në 2021, shërbeu si pjesë e kontigjentit gjeorgjian në Afganistan.
Fqinjët thanë për televizionin “Formula” se burri bënte një jetë të mbyllur, nuk ishte konfliktuar me askënd.
Në të njëjtën kohë, banorët e zonës thonë se ai ndoshta kishte probleme me shëndetin mendor. Fqinjët i thanë agjencisë Interpressnews se Atuashvili po kalonte trajtimin e duhur.
Sipas kreut të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë sulmit në shtëpinë e të dyshuarit ka qenë edhe djali i tij i rritur. Ai u largua nga banesa pasi filluan të shtënat.
Ende nuk dihen motivet e autorit.
Rasti është ngritur në bazë të dy neneve të kodit penal të Gjeorgjisë – neni 110 (vrasja me dashje e dy ose më shumë personave në rrethana rënduese) dhe neni 236 (blerja ose ruajtja pa leje e armëve të zjarrit, municionit, lëndëve shpërthyese ose mjeteve shpërthyese).