Shkurtimi i periudhës së stazhit profesional të detyrueshëm për mësuesit e rinj ka sjellë të tjera ndryshime në gjithë procedurën, nga aplikimi deri te kryerja e praktikës.
Ministria e Arsimit ka përgatitur urdhrin drejtuar zyrave arsimore vendore në të cilin detajohen afatet dhe personat e ngarkuar për ta përmbyllur këtë procedurë. Në jo pak raste, të rinj të shumtë janë përjashtuar nga praktika duke u djegur kështu për një vit, për shkak të kuotave të ezauruara.
Çdo vit, janë shpallur 1500 të tilla me të rinj që iu jepej mundësia të kryenin një vit praktikë me kontribute shoqërore e shëndetësore të paguara. Me ngushtimin e kohës nga 9 muaj sa ka viti shkollor me 1/3 e saj, kjo problematikë mund të shmanget.
DOKUMENTI
Kandidati për mësues, i cili sapo ka dalë nga auditorët dhe dëshiron të ushtrojë profesionin më tej, duhet të zgjedhë një nga tri semestrat ku dëshiron të praktikohet. Pavarësisht periudhës që zgjedh, aplikimi duhet të bëhet në afatet e përcaktuara.
Gjithçka duket se do të kalojë nga portali qeveritar. “Për vitin shkollor 2022-2023, aplikimi për zhvillimin e praktikës profesionale për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesisë do të kryhet nëpërmjet platformës ‘e-Albania’.
Kandidatët kanë të drejtë të zhvillojnë praktikën profesionale në një nga tri periudhat mësimore.
Afati i regjistrimit të kandidatëve nëpërmjet platformës ‘eAlbania’ që do të zhvillojnë praktikën profesionale për profesionin e rregulluar të mësuesit, në periudhën e parë mësimore është nga data 30.08.2022 – 07.09.2022, në periudhën e dytë mësimore është nga data 05.12.2022 – 15.12.2022 dhe në periudhën e tretë mësimore është nga data 06.03.2023 – 16.03.2023″, shkruhet në shkresën e firmosur nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Alqi Kushi, drejt katër drejtorive të arsimit parauniversitar e zyrave arsimore vendore.
Një javë pas mbylljes së aplikimeve për secilën periudhë, zyrat vendore arsimore dërgojnë në drejtoritë rajonale përkatëse listën e praktikantëve për periudhën e caktuar. Po ashtu, edhe drejtoritë rajonale kanë një javë afat për të hartuar lisat përfundimtare me kandidatët aplikantë për t’i dërguar më tej në ministri.
Më tej, çdo emër do të jetë online në faqet zyrtare të institucioneve shkollore, të cilat do të presin mësuesit e rinj për të kryer praktikën e detyrueshme tre mujore. Dokumentet e aplikimit do të jenë po ato të mëparshmet, ndërsa masat e sigurisë për shkollën pranë vendbanimit do të shtohen.
Janë zyrat vendore arsimore ato të cilat duhet t’u marrin praktikantëve një dokument banimi në rajonin e tyre si dhe fotokopje të noteriuzar të diplomave të ciklit të parë e të dytë në fushën e edukimit.
Në njëfarë mënyre, ato janë përgjegjëse për saktësinë e të dhënave që ata paraqesin, pavarësisht se aplikimi bëhet dhe kalon i gjithi online. Procesi i organizimit dhe zhvillimit të praktikës profesionale është objekt monitorimi nga ministria, drejtoria e përgjithshme dhe ajo rajonale.