Shëndeti i njerëzve në botë është në mëshirën e fatit për shkak të varësisë së vendeve ndaj lëndëve djegëse fosile. Raporti, nga grupi Lancet Countdown për shëndetin dhe ndryshimet klimatike i realizuar nga më shumë se 100 ekspertë nga 51 institucione është botuar në prag të samitit të klimës Cop27 të OKB-së në Egjipt.
Analiza raporton një rritje të vdekjeve nga nxehtësia, uria dhe sëmundjeve infektive ndërsa kriza klimatike intensifikohet, ndërsa qeveritë vazhdojnë të japin më shumë subvencione për lëndët djegëse fosile sesa për vendet më të varfra që përjetojnë ndikimet e ngrohjes globale.
Emergjenca klimatike po krijon krizat e ushqimit, energjisë dhe kostos së jetesës, thuhet në raport. Kjo prek më së shumti punëtorët e bujqësisë në vendet më të varfra, duke shkurtuar furnizimet ushqimore dhe të ardhurat.
Megjithatë, raporti thotë se veprimi urgjent, me në qendër shëndetin për të trajtuar ngrohjen globale, mund të shpëtojë miliona jetë në vit.
“Kriza klimatike po minon jo vetëm shëndetin e planetit tonë, por shëndetin e njerëzve kudo përmes ndotjes toksike të ajrit, zvogëlimit të sigurisë ushqimore, rreziqeve më të larta të shpërthimeve të sëmundjeve infektive, nxehtësisë ekstreme, thatësirës, përmbytjeve dhe më shumë”, ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.
Raporti gjurmon 43 tregues të shëndetit dhe klimës. Ai zbuloi se vdekjet e lidhura me nxehtësinë në popullatat më të cenueshme për foshnjat nën një vjeç dhe të rriturit mbi 65 vjeç u rritën me 68% gjatë katër viteve të fundit krahasuar me 2000-2004.
Periudhat e nxehta në vitin 2020 bënë që mbi 98 milionë njerëz të ishin të paaftë për të marrë ushqimin e nevojshëm, krahasuar me mesataren e viteve 1981-2010, dhe përqindja e popullsisë globale që përballon pasigurinë ushqimore është gjithashtu në rritje pasi shkaku më i madh sipas ekspërtëve është ndryshimi i klimës. Nxehtësia ekstreme bëri gjithashtu që njerëzit të mos ishin në gjendje të punonin, me 470 miliardë orë pune të humbura në nivel global në vitin 2021. Kjo është rreth një rritje prej 40% nga vitet 1990, thuhet në raport.