Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vënë në pranga M.C., 32 vjeç, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë i kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Po ashtu, AMP ekzekutoi vendimin e Gjykatës, për masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj 4 punonjësve të policisë:
– Inspektor M.M., 32 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë;
– Inspektor S.L., 56 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë;
– Inspektor E.M., 35 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë;
– Nënkomisar M.A., 28 vjeç, me detyrë Specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë.
Sipas hetimeve të kryera nga AMP ka rezultuar se shtetasi M.C. ka trafikuar në Shqipëri automjete që rezultojnë të vjedhura në Greqi, duke iu bërë ndryshime në elementët identifikuese për t’i pajisur më pas me dokumente false, me qëllim shitjen në vendin tonë.
Punonjësit e Policisë në kundërshtim me aktet ligjore, nuk kanë kryer verifikime mbi dokumentacionet e mjeteve, prokurave apo autorizimet që duhet të dispononte shtetasi M.C. në momentin e futjes së këtyre mjeteve në territorin shqiptar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6 automjete të dyshuara të vjedhura, me vlerë 130 000 euro.