Sonte në darkë në orën 20:45 do të luhet ndeshja miqësore Shqipëri-Itali e cila po pritet me shumë interes nga tifozët e kombëtares dhe jo vetëm. Policia ka bërë të ditur planin e masave të cilat do të duhet të respektohen jo vetëm nga tifozët që do ta ndjekin ndeshjen në stadium, por edhe qytetarët. Këto masa sipas policisë janë të domosdoshme për t’u marrë në mënyrë që të garantohet mbarëvajtja e ndeshjes. Policia ka bërë të ditur se do të bllokohen disa nga akset kryesore të qytetit.
Nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit do të bllokohen rruga “Lekë Dukagjini”, përreth stadiumit; rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Sheshi “Nënë Tereza” nuk do të ketë bllokime të lëvizjes. Policia do të garantojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të përcaktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.
Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë, lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohen të futen në stadium, persona të papajisur me dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, të pashoqëruar nga prindi apo kujdestari.
Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium tifozët, që në aktivitete të mëparshme sportive, janë të identifikuar nga Policia, si problematikë. Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për tifozeritë e të dyja skuadrave, që të zbatojnë rregullat dhe ligjin.