Ditën e sotme ka ndërruar jetë një i burgosur i cili vuante dënimin në burgun e Fierit. 51-vjeçari Simon Toska është dërguar në spitalin e Fierit sapo ai ka shfaqur probleme, por fatkeqësisht nuk ka arritur që të mbijetojë. Ka qenë shoku i qelisë së tij i cili ka konstatuar gjendjen shëndetësore të Toskës dhe ka njoftuar gardianët e burgut. Spitali i Fierit ka konfirmuar se 51-vjeçari pësoi infarkt.
Menjëherë pas dhënies së lajmit për vdekjen e të burgosurit, ka reaguar edhe Drejtoria e Burgjeve e cila është shprehur se gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, 51-vjeçari Simon Toska nuk ka shfaqur probleme shëndetësore dhe nuk është trajtuar me medikamente. Një ditë më parë, është konfirmuar se 51-vjeçari ka pasur marrje fryme dhe shtrëngim në kraharor.
51-vjeçari Simon Toska po vuante dënimin për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.