Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Tomor Malasi është ndarë nga jeta ditën e djeshme, në moshën 87-vjeçare. Ai do të mbahet mend si një figurë mjaft e rëndësishme e Partisë Demokratike, në ditët e para të themelimit të saj.
Malasi u vendos në krye të Bashkisë së Tiranës, pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1991, post të cilin e mbajti për një vit.
Pas rrëzimit të diktaturës, në vend u zhvilluan zgjedhjet pluraliste më 31 mars të vitit 1991. Kuvendi i parë pluralist që doli nga këto zgjedhje, vendosi që kryetari i bashkisë të caktohej nga partia që kishte fituar shumicën e mandateve të deputetëve në secilin qytet. Partia Demokratike fitoi shumicën e mandateve të deputetëve në qytetet kryesore të Shqipërisë. Në Tiranë Partia Demokratike pati fitoren e saj më të thellë.
Në vitin 1992, kur u zhvilluan sërish zgjedhjet e përgjithshme, Tomor Malasi mori mandatin e deputetit, të cilin e mbajti deri në vitin 1996.
Gjatë këtyre katër vjetëve ai kishte edhe postin e nënkryetarit të Kuvendit, që përbëhej nga shumica demokratike.
Pas zgjedhjeve të vitit 1996, Malasi u rreshtua në grupin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të PD-së të cilët kërkonin që kjo forcë politike dhe ish-presidenti Berisha të mbanin përgjegjësi për fajdet që shkaktuan trazirat e vitit 1997.