Streha ushtarake e ish-Luftës së Ftohtë në Gjirokastër tashmë është kthyer në një nga vendet më të preferuara për t’u vizituar nga turistët vendas dhe të huaj. Historia, objektet e vendosura përgjatë këtij muzeu sjellin interes për turistët.
Tuneli, i gjithi i ndërtuar me beton, shtrihet në një gjatësi prej 1 km, nën muret e Kalasë së Gjirokastrës.
E ndërtuar në vitet 70 të shekullit të kaluar, streha e luftës i ngjan një qyteti nëntokësor me rreth 80 dhoma, të cilat do të përdoreshin në rast të një sulmi eventual gjatë periudhës komuniste.
“Tuneli është një atraksion turistik, që tërheq shumë turistë. Tuneli është ndërtuar për njerëzit elitë në kohën e komunizmit dhe është një investim kolosal i qeverisë komuniste dhe është një gjë shumë interesante për të huajt por sigurisht edhe për shqiptarët”, tha Xhulio Rexha.
Ndërsa funksionon si një muze i Luftës së Ftohtë, historia dhe metoda e ndërtimit e bëjnë tunelin e betonit një dëshmi interesante të asaj periudhe.
Turistin më shumë e tërheqin gjërat autentike që janë në këtë bunker sepse gjithçka është origjinale dhe ato kthehen në kohë, duke parë pajisjet dhe objektet e komunizmit”, ka theksuar Rexha.
Gjatë vitit 2022 më shumë se 3500 turistë e vizituan këtë atraksion. Përveç vlerave arkitekturore, reliket e ish-sistemit komunist e bëjnë më tërheqës guidën turistike të Gjirokastrës.