Vijonë aktivitetet e projektit “Municipality4Youths” me të rinjtë e qytetit të Pukës. Ky projekt, i financuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet skemës së Granteve EU4Municipalities, ka si qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për një jetesë më të mirë.
Projekti “Municipality4Youths” ndërthur investimet në infrastrukturën e qytetit me aktivitete trajnuese dhe edukuese që synojnë rritjen e kapacitetit të të rinjve në fusha të ndryshme si sipërmarrja, inovacioni, marketingu dixhital etj.
Gjatë muajit mars janë zhvilluar tri cikle trajnimesh me pjesëmarrjen e mbi 50 të rinjve të grupmoshave të ndryshme, kryesisht nxënës të shkollave të mesme të qytetit të Pukës. Këto trajnime janë realizuar nga Bashkia Pukë në bashkëpunim me organizatën Digital Future, organizatë e specializuar në fushën e inovacionit dhe risive teknologjike.
Edukimi jo-formal ndër vite është bërë pjesë e strategjive kombëtare të rinisë dhe atyre për punësim dhe aftësim. Kjo qasje është vlerësuar si shumë e suksesshme dhe e dobishme për të rinjtë që kërkojnë të futen në tregun e punës apo dhe profesionistët e rinj të cilët akoma nuk e kanë gjetur plotësisht veten në profesionin e tyre.
Edukimi jo-formal i jep mundësinë të rinjve që, pa kosto financiare dhe në një kohë të shkurtër, të rrisin aftësitë e tyre në lidhje me tema specifike të cilat do t’i ndihmojnë të integrohen më mirë në tregun e punës.
Temat e trajnimit të përzgjedhura nga Projekti “Municipality4Youths” lidhen ngushtë dhe me karakteristikat që ofron zona e Pukës. Kjo zonë është e pasur me burime natyrore dhe gjithashtu ka një potencial të lartë për zhvillimin turistik. Pavarsisht këtyre elementeve pozitive, gjatë viteve të fundit Puka ka pësuar një rënie të popullsisë për shkak të emigrimit.
Aftësimi i të rinjve në fushën e sipërmarrjes synon t’i nxisë ata që të zhvillojnë idetë e tyre për biznes në vendin e tyre, sidomos duke shfrytëzuar kushtet gjeografike dhe relievin e zonës të cilat ofrojnë një potencial të lartë për zhvillimin e turizmit malor. Gjatë aktiviteteve trajnuese, të rinjtë mësuan mbi kuadrin ligjor për zhvillimin e një biznesi, mënyrat e hartimit të një plani biznesi dhe si të promovojnë me mjete dixhitale biznesin dhe produktet e tyre.
Krahas aktiviteteve trajnuese dhe edukuese, në kuadër të projektit “Municipality4Youths” janë parashikuar dhe investime direkte në infrastrukturën e qytetit të cilat kapin vlerën 130.000 Euro. Një ambient i dedikuar brenda Qendrës Kulturore të Bashkisë do të restaurohet dhe furnizohet me pajisjet teknologjike të nevojshme për të mundësuar vijimin e trajnimeve edhe në të ardhmen si dhe për të ndihmuar të rinjtë e qytetit të rrisin aftësitë e tyre në fushat e informatikës dhe teknologjisë.
Aktivitetet trajnuese, investimet në infrastrukturë, restaurimi ambienteve të Qendrës Kulturore si dhe blerja e pajisjeve do të financohen nga Bashkimi Evropian nëpërmjet skemës së Granteve EU4Municipalities.
Nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’u urojmë shumë fat të rinjve të Pukës në zbatimin e ideve të tyre.