Dy efektivë të policisë rrugore në Durrës janë vënë nën hetim nga policia për korrupsion pasi dyshohet se i kanë marrë para një qytetareje. Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Durrës referoi materialet proceduriale pranë Prokurorisë për inspektorët Ervis Sokolli dhe Skënder Sakaj të cilët akuzohen për “Korrupsioni pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Materialet u referuan pasi në datë 16.01.2023 Drejtoria Rajonale AMP Durrës është vënë në dijeni të një video të publikuar në rrjetet sociale ku një shtetas i paidentifikuar denoncon me pamje filmike një rast të kontrollit të një drejtuese mjeti, kryer nga dy punonjës policie dhe në video dyshohet për mitmarrje nga punonjësit e policisë.
Procedim penal ka nisur edhe ndaj qytetares I.H. e cila akuzohet për korrupsioni aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike.