Zvicra ka mundur Serbinë 3-2 në ndeshjen e fundit në fazën e grupeve, duke e eliminuar nga Kupa e Botës. Ndërsa helvetët kanë siguruar biletën për në raundin e të 16-ve.
Shqiptaro-zvicerani, Xherdan Shaqiri hapi serinë e golave të ndeshjes në minutën e 20. 31—vjeçari e vazhdoi aty ku e la në Botërorin e 2018.
Mirëpo, serbët do të shënonin dy herë brenda pjesës së parë duke arritur të përmbysnin takimin. Fillimisht në minutën e 26 me Aleksandar Mitrovic dhe nëntë minuta më vonë me Dusan Vlahovic.
Atëherë kur pjesa e parë po shkonte drejt fundit të saj, Breel Embolo arriti ta dërgonte topin në rrjetë, duke i çuar shifrat në 2-2 dhe i dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes në barazim.
Zvicra do të shënonte golin që do i jepte fitoren vetëm tre minuta pasi do të fillonte pjesa e dytë me Remo Freuler. Një aksion model nga ana e zviceranëve në këtë rast, i cili filloi me një pasim të bukur nga Shaqiri dhe u ndoq me një asistim të “jashtëzakonshëm” me thembër nga Ruben Vargas.
Në minutat e fundit të ndeshjes pati dhe një përplasje mes Granit Xhakës dhe disa lojtarëve të kombëtares serbe.
Sherri nis fillimisht mes mesfushorit të Arsenal-it dhe Nikola Milenkovic-it, teksa më pas drejt Xhakës u dyndën lojtarët e tjerë serb.
Me golin e shënuar, Shaqiri arriti disa statistika interesante me kombëtaren. Ai tashmë bëhet një nga tre lojtarët që kanë shënuar të paktën një gol në tre Kupat e fundit të Botës, së bashku me Lionel Messi-n dhe Cristiano Ronaldo-n.
Gjithashtu Shaqiri (4) është vetëm dy gola larg për të barazuar rekordin e Sepp Huegi (6) si golashënuesi më i mirë i Zvicrës në historinë e Kupës së Botës.