Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim ndërkombëtar biznesmenin Mirel Mërtiri.
Ky i fundit është i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit.
Vendimi ka ardhur si kërkesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila ka dorëzuar shkresën në Polici.
Tre muaj më parë SPAK akuzoi zyrtarisht Mërtirin.
Në aktakuzën e shpallur shkruhej se shtetasit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, kanë “konsumuar veprat penale të korrupsionit aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.
Kjo, e kryer në bashkëpunim dhe “pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim”.
Mërtiri pritej të shpallej në kërkim, ashtu sikurse më herët u shpall partnerja e tij Stela Gugallja dhe biznesmeni tjetër Klodian Zoto.
Gugallja do të ekstradohet nga Austria, pasi sipas SPAK-ut, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, si pronarë të dy kompanive, “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive.
Të dy biznesmenët përfshiheshin në pikën e tretë dhe të fundit të aktakuzës ndaj ish-ministrit të arrestuar, Lefter Koka.