Një takim mes ministrave të jashtëm të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe u anulua pasi avioni i Ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock nuk mundi të ngrihej në kohë për shkak të akullit.
Këtë e bën të ditur Deutsche Welle.
Baerbock mbërriti në Irlandë të enjten dhe u takua me homologun e saj irlandez Simon Coveney. Pas kësaj, ajo duhej të shkonte në Britaninë e Madhe, por për shkak të ngrirjes së akullit, aeroplanit nuk iu dha leja për t’u ngritur.
Shefja e Ministrisë së Jashtme gjermane tha se është “shumë e trishtuar” për shkak të takimit të ndërprerë me ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, James Cleverley.
“Por nuk mund të bësh asgjë me forcë madhore – dhe sigurisht jo me akull dhe borë të papritur në Dublin”, shtoi ajo.
Me Cleverley, Burbock do të diskutonte rëndësinë e partneritetit të Gjermanisë me Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht sfidave të shkaktuara nga Brexit.
Takimi i ministrave të jashtëm të Gjermanisë dhe Britanisë është shtyrë tashmë dy herë: së pari – për shkak të dorëheqjes së kryeministrit britanik Boris Johnson, së dyti – për shkak të vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II.
Siç kujton DW, kjo nuk është hera e parë që problemet me avionët pengojnë vizitat e jashtme të zyrtarëve gjermanë.
Në vitin 2018, kancelarja e atëhershme gjermane Angela Merkel humbi hapjen e samitit të G20 në Argjentinë pasi avioni i saj u detyrua të ulej pak pasi u ngrit nga Berlini.
Një vit më vonë, ish-ministri i Brendshëm gjerman Heiko Maas u bllokua në Mali për shkak të një mosfunksionimi të avionit.
Që atëherë, Forcat Ajrore Gjermane kanë blerë tre avionë të rinj ushtarakë Airbus A350 për të zëvendësuar flotën e vjetër të avionëve qeveritarë.