Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka kaluar natën në Bërnjak, së bashku me zyrtarët e Policisë së Kosovës të angazhuar atje.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë është shprehur se vizita e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, në Bërnjak është provokim me qëllim të përshkallëzimit të situatës në terren. Lista Serbe ka thënë se Sveçla nuk është i mirëpritur në komunat serbe në veri të Kosovës dhe se nuk ka çfarë të kërkojë në rajonet e tyre.
Katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan janë të banuara me shumicë serbe.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 10 dhjetorit, kur serbët në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.